Gjykata Themelore, dega në Lipjan, ka njoftuar vendimin për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj Bekim Metës, ish-veteran i UÇK-së. Me këtë vendim, gjyqtari i procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.
Avokati i të pandehurit, Luan Tasholli, konfirmoi se vendimi është pranuar dhe se klienti i tij do të respektojë të gjitha detyrimet ligjore të kësaj mase.
Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë në fshatin Magure të Lipjanit. Sipas të dhënave, një grup personash nga komuniteti rom dyshohet se kanë sulmuar Skender Shahinin para shtëpisë së tij, si dhe Bekim Metën. Sipas mbështetësve të tij, Meta kishte ndërhyrë për të ndarë palët gjatë konfliktit.
Procesi gjyqësor u ndoq nga një numër i konsiderueshëm qytetarësh dhe veteranësh, të cilët organizuan një tubim para objektit të gjykatës. Protestuesit qëndruan në pritje për më shumë se gjashtë orë, duke kërkuar drejtësi për rastin.