Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara rrëzoi përfundimisht padinë prej 10 miliardë dollarësh të presidentit Donald Trump kundër gazetës The Wall Street Journal, kompanisë së saj mëmë Dow Jones dhe drejtuesit të saj, Rupert Murdoch. Çështja lidhej me një artikull për një letër që, sipas gazetës, Trump ia kishte dërguar Jeffrey Epstein në vitin 2003, me rastin e 50-vjetorit të lindjes së tij.
Gjykatësi Darrin Gayles vendosi se ekipi ligjor i Trump nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme se të paditurit publikuan informacione të pavërteta duke e ditur se ishin të tilla ose duke shpërfillur me vetëdije mundësinë që ato të ishin të rreme. Në vendimin prej 20 faqesh, Gayles e vlerësoi hetimin e gazetës si të kujdesshëm dhe të detajuar. Ai e përshkroi padinë si përpjekje për të gjetur mangësi në punën gazetareske.
Kjo ishte përpjekja e dytë e Trump për të ngritur padi për shpifje lidhur me artikullin. Në padinë e parë ai kërkonte 20 miliardë dollarë dëmshpërblim. Pas rrëzimit të saj, ekipi i tij ligjor e paraqiti sërish çështjen, këtë herë duke kërkuar 10 miliardë dollarë. Gjykatësi e rrëzoi padinë me efekt përfundimtar, që do të thotë se ajo nuk mund të paraqitet sërish në të njëjtën formë.
Sipas standardit ligjor amerikan të përmendur në vendim, një figurë publike duhet të provojë se media ka vepruar me “keqdashje të vërtetë” (actual malice): se e dinte që informacioni ishte i rremë ose se veproi me shpërfillje të pamatur ndaj vërtetësisë së tij. Avokatët e Trump argumentuan se gazeta duhej të mos e botonte artikullin pasi ai mohoi autorësinë e letrës kur u kontaktua. Gayles e hodhi poshtë këtë argument, duke thënë se mohimi i një figure publike nuk i detyron gazetarët të heqin dorë nga publikimi. Sipas tij, një interpretim i tillë do të mund të pengonte raportimet kritike dhe do të binte ndesh me mbrojtjen kushtetuese të lirisë së shtypit.
Artikulli i gazetës trajtonte një libër të përgatitur për ditëlindjen e 50-të të Epstein, ku ishin mbledhur mesazhe dhe dedikime nga persona të ndryshëm. Sipas raportimit të gazetës, letra që mbante emrin e Trump përmbante disa rreshta të shtypur, të rrethuar nga konturi i një gruaje të zhveshur, i cili dukej se ishte vizatuar me marker të trashë. Në të përmendej fraza “enigmat nuk plaken kurrë”, ndërsa mesazhi përfundonte: “Një mik është një gjë e mrekullueshme. Gëzuar ditëlindjen – dhe u bëftë çdo ditë një tjetër sekret i mrekullueshëm”. Trump ka mohuar se e ka shkruar ose nënshkruar letrën dhe ka pretenduar se ajo është e falsifikuar.
Pas vendimit, një zëdhënës i Dow Jones u shpreh i kënaqur. Një zëdhënës i ekipit ligjor të Trump tha se presidenti do të vazhdojë çështjen dhe do të apelojë vendimin.