Gjykata e Specializuar në Hagë ka shpallur aktgjykimin për ish-drejtuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke e dënuar atë me 18 vjet burgim. Në këtë masë dënimi, trupi gjykues ka vendosur që të llogaritet edhe periudha kohore që ai ka kaluar në paraburgim.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore, i biri i tij, Klestor Veseli, ka bërë një deklaratë për mediat e pranishme. Ai shprehu qëndrimin e familjes për të përballuar vendimin e gjykatës, duke u shprehur: “Faleminderit shumë nga ju, por të fortë jemi, të fortë duhet me qëndru – nuk kemi asgjë më shumë”.
Në lidhje me këtë zhvillim, ekipi i mbrojtjes së Kadri Veselit ka bërë të ditur se do ta apelojë këtë aktgjykim. Avokatët e tij pritet që të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Kërkesa e tyre synon rrëzimin e vendimit dënues dhe shpalljen përfundimtare të pafajësisë për ish-kryetarin e Kuvendit.
Përditësime
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shpallur dënimet për ish-udhëheqësit e tjerë të akuzuar. Trupi gjykues dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim secilin. Ndërkohë, Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim.