Kadri Veseli vazhdoi të enjten deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Kjo shënon ditën e katërt të fazës së argumenteve përfundimtare kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Avokati i Veselit, Rodney Dixon, argumentoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka prova për kontakt të vazhdueshëm të klientit të tij me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së gjatë periudhës kur ai ndodhej jashtë shtetit. Ai cilësoi listën e pretendimeve si "lista e asgjësë", duke përmendur urdhra, raporte inteligjence dhe veprime ushtarake që nuk lidhen me akuzat. Dixon tha se këto nuk përbëjnë një konspiracion kriminal.
Mbrojtja kritikoi gjithashtu dëshmitarët e ZPS-së, duke pretenduar se disa kanë gënjyer nën betim dhe se prokuroria ka favorizuar dëshmitarë të caktuar. Dixon theksoi se "kur nuk ka prova ose provat janë të dobëta, nuk mund të ketë shpallje fajësie". Ai u drejtua gjykatësve se aktgjykimi i tyre do të ketë vend në histori dhe do të ruajë integritetin e drejtësisë.
Sa i përket viktimave, Dixon deklaroi se ato meritojnë drejtësi të bazuar në të vërtetën, pasi "padrejtësia më e keqe është drejtësia e rreme". Ai argumentoi se mbrojtja e pafajshmëve është e domosdoshme për të luftuar pandëshkueshmërinë pa sakrifikuar të vërtetën.
Prokuroria, më herët, kërkoi nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar, ose 180 vjet në total, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të pretenduara midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në Kosovë dhe veri të Shqipërisë. Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe qëndrojnë në paraburgim që nga nëntori 2020. Gjykimi nisi më 3 prill 2023.
Pas përfundimit të deklaratave, trupi gjykues ka tre muaj kohë për të marrë vendim, me mundësi zgjatjeje.
Përditësime
Rodney Dixon, avokati i Kadri Veselit, deklaroi se pretendimet e Prokurorisë janë "përpjekje të kota". Ai i kërkoi trupit gjykues të dallojë faktet nga shpikjet, duke akuzuar prokurorinë për "akrobaci në argumentet e saj". "Mund ta imagjinoni se si ndihet klienti im në burg plot ankth?", tha ai.
Mbrojtja e Hashim Thaçit deklaroi një ditë më parë se një shpallje fajtorie do të ishte "padrejtësi ligjore dhe historike".
Mbrojtja e Kadri Veselit akuzoi gjykatën për selektivitet në trajtimin e dëshmitarëve. "Si është e mundur që gjykata të mbështetet në pjesë të caktuara të dëshmitarëve për të dhënë vendim fajësie përtej dyshimit të arsyeshëm, ndërkohë që për të tjerët thuhet se nuk mund të besohen për asnjë aspekt?", deklaroi ajo në Gjykatën e Hagës.
Prokuroria kërkon prova në periudhën pas luftës, në mungesë të elementeve të tjera bindëse.
Rodney Dixon deklaroi se ZPS nuk ka prova për "ndërmarrje të përbashkët kriminale" kundër Kadri Veselit.
- Dixon kritikoi përdorimin e intervistës së Veselit nga 9 shkurt 2011 si provë të keqinterpretuar dhe jo nën betim.
- Dixon hodhi poshtë pretendimin se SHIK-u ishte funksional që nga prilli 1999 dhe se Veseli drejtoi aparatin për identifikimin e bashkëpunëtorëve.
Gjyqtari Christoph Barthe dukej i përgjumur gjatë fjalës përfundimtare të mbrojtjes.
Avokati i mbrojtjes Dixon kritikoi ZPS-në në ditën e katërt të mbrojtjes së Kadri Veselit në Hagë.
Dixon deklaroi:
- "ZPS duket se po tërheq zvarrë në kaosin e mbretit të mizave. Sipas ZPS, çdo lloj asocieimi ka kuptim përderisa i shërben asaj..."
- "Është gabim që ZPS të ndjekë persona si Veseli në mënyrë të kotë me shpresën se do të sjellë një zgjidhje shpirtërore për viktimat."
- "Ne nuk mund ta paraqesim këtë 'ndërmarrje të përbashkët kriminale' pa përbërësin e shërbimit të zbulimit."
Mbrojtja e Rexhep Selimit nisi pasdite të enjten në Hagë. Avokati Geoffrey Roberts argumentoi pafajësinë e plotë, mungesën e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, luftën për liri (jo për pushtet) dhe dyshimin në besueshmërinë e dëshmitarëve të ZPS-së. Të premten (dita e pestë), vazhdojnë deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes së tij. Pritet të nisë mbrojtja e Jakup Krasniqi.