Gjykata Supreme e Izraelit vendosi të premten që partitë arabe të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 27 tetorit, duke shfuqizuar vendimin e Komitetit Qendror të Zgjedhjeve të fundit të shtatorit. Ky i fundit kishte votuar me 18 vota pro dhe 5 kundër për përjashtimin e partisë islamiste konservatore Raam, të drejtuar nga Mansour Abbas, si dhe listën e përbashkët zgjedhore të përbërë nga Hadash, Taal dhe Balad.
Sipas Gjykatës, provat e paraqitura kundër këtyre subjekteve dhe disa kandidatëve individualë nuk përmbushnin standardin e lartë ligjor të kërkuar për të ndaluar pjesëmarrjen në një proces zgjedhor. Kërkesat për përjashtimin e tyre bazoheshin në pretendime se këto parti mbështesnin luftën e armatosur kundër Izraelit. Nga ana tjetër, partitë arabe i kundërshtuan këto akuza, duke i cilësuar veprimet e komitetit si politike, raciste dhe antidemokratike.
Ndërkohë, vëmendja është përqendruar edhe te standardet e dyfishta të raportuara nga mediat, pasi Komiteti Qendror i Zgjedhjeve nuk zhvilloi votim për ndalimin e partisë së djathtë Otzma Yehudit, të drejtuar nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.
Sondazhet parashikojnë një garë shumë të ngushtë, ku as blloku i kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe as kampi kundërshtar nuk pritet të sigurojnë shumicën absolute. Në këtë kontekst, mandatet e partive arabe, të cilat përfaqësojnë rreth 20% të popullsisë, pritet të jenë përcaktuese për formimin e qeverisë së ardhshme. Një precedent i rëndësishëm ishte ai i vitit 2021, kur Raam iu bashkua koalicionit që i dha fund mandatit të Netanyahut.