Kolegji i Gjykatës Supreme, i përbërë nga Burim Ademi, Agim Maliqi dhe Mejreme Memaj, vendosi ndërprerjen e masës së paraburgimit për katër të pandehurit, duke konstatuar shkelje të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale (KPP). Sipas vendimit, Prokuroria Speciale e kishte dorëzuar kërkesën për vazhdimin e paraburgimit më 13 korrik 2026, ditën kur skadonte masa e mëparshme, duke shkelur kështu afatin ligjor të përcaktuar në nenin 188 të KPP-së.
Çështja filloi kur Gjykata Themelore në Prishtinë fillimisht e kishte hedhur poshtë kërkesën e prokurorisë si të pasafatshme. Megjithatë, më 21 korrik 2026, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar këtë vendim, duke e vazhduar paraburgimin për dy muaj. Mbrojtësit e të dyshuarve, avokatët Abit Asllani, Fitim Shabani, Avni Ibrahimi dhe Admir Salihu, ushtruan ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Apelit, duke pretenduar shkelje esenciale procedurale. Prokuroria e Shtetit kishte kërkuar refuzimin e këtyre ankesave.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme theksoi se mosrespektimi i afatit pesëditor për dorëzimin e kërkesës cenon garancitë procedurale të të pandehurve. Veçanërisht, gjykata vuri në dukje se të dyshuarve iu mohua e drejta për t'u njohur me arsyet e prokurorisë dhe për t'i kundërshtuar ato brenda afatit ligjor prej 3 ditësh para skadimit të paraburgimit, siç parashihet në paragrafin 2 të nenit 188 të KPP-së. Për këto arsye, Supremja konstatoi se vendimi i Gjykatës Themelore ishte në përputhje me ligjin.