Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Penale, ka caktuar një muaj paraburgim për reperin Mossi dhe dy të dyshuar të tjerë për sulmin e dyshuar ndaj gazetarit Burim Pacolli. Vendimi u mor më 6 mars 2026, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Gjyqtari i procedurës paraprake, pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të shkresave, vlerësoi se masa është e bazuar dhe e vetmja që siguron rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale.
Të dyshuarit ngarkohen me këto vepra penale:
- G.K.: lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje dhe kanosje;
- B.M.: lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje dhe posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analogëve;
- A.D.: lëndim i lehtë trupor.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit ndodhen në ndalim që nga e mërkura e mëparshme. Prokurori i rastit, Burim Neziri, konfirmoi kërkesën për 30 ditë paraburgim.
Gjykata theksoi se masa është adekuate për këtë çështje penale. Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.