Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur më 19 mars 2026 aktgjykim dënues ndaj pesë të akuzuarve për sekuestrimin e 400 kilogramëve kokainë, duke i dënuar me gjithsej 75 vjet burgim dhe 108 mijë euro gjobë. Kokaina kishte ardhur nga Brazili dhe ishte fshehur në mish të procesuar pule në kompaninë MC FOOD në Lipjan, ku u zbulua në vitin 2021.
Të dënuarit u shpallën fajtorë për veprën penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, ndërsa Izet Sheqiri, pronar i MC FOOD, u dënua edhe për armëmbajtje pa leje. Dënimet individuale janë:
- Izet Sheqiri: 20 vjet burgim, 60 mijë euro gjobë për grupin kriminal dhe 3 mijë euro për armën;
- Faton Vrajolli (menaxher): 20 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë;
- Kadri Sheqiri (komercialist): 15 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë;
- Kadri Brahimi (depoist): 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë;
- Fehmi Bytyqi (shofer): 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Vendimin e mori trupi gjykues i kryesuar nga Ngadhnjim Arrni, me anëtarë Rrahman Beqiri dhe Lutfi Shala. Të akuzuarve Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi u caktua masa e paraburgimit, ndërsa të tjerëve iu vazhdua deri në plotfuqishmëri të vendimit. Në llogaritjen e dënimit llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Gjykata urdhëroi konfiskimin dhe shkatërrimin e narkotikut, të mjetit që mundësuan veprën penale si dhe të armës së Izet Sheqirit. Secili duhet të paguajë 500 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës figuronin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, të cilët pranuan fajin dhe u veçuan: i pari me 7 muaj burgim efektiv dhe i dyti me 6 muaj për pengim të procedurës penale. Kundër vendimit lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit brenda 30 ditësh. Pas shpalljes, njëri nga të akuzuarit pati nevojë për ndihmë mjekësore.
Përditësime
Gjykatësi Ngadhnjim Arrni specifikoi dënimet: Izet Sheqiri me 20 vjet burgim dhe 63,000 euro gjobë; Faton Vrajolli me 20 vjet burgim dhe 30,000 euro gjobë.
Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi, të cilët ishin në liri deri tani, u dërguan në paraburgim me vendim të veçantë të Gjykatës Themelore në Prishtinë.