Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër E.R. dhe H.K., të cilët ndodhen nën masën e paraburgimit, si dhe kundër F.H., i cili gjendet në arrati. Të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analogeve, sipas nenit 267 lidhur me nenin 275 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 11 gusht 2025, rreth orës 21:21, në Prizren, prapa një qendre tregtare, F.H. dhe E.R. kanë vepruar në bashkëkryerje për të transportuar dhe shpërndarë 3.3 kilogramë kokainë. Pas komunikimit paraprak me H.K. për vendin e takimit, ata kanë arritur me automjet dhe kanë realizuar dorëzimin e narkotikëve, duke pranuar në këmbim një automjet të tipit VW Golf VIII.
Pas dorëzimit, F.H. është larguar me automjetin e tij VW Arteon me targa belge, ndërsa E.R. ka drejtuar VW Golf-in dhe e ka parkuar para banesës së saj në Prishtinë, ku policia e ka sekuestruar.
Automjeti i F.H. u ndalua më 16 gusht 2025 nga policia në pikën kufitare Hani i Elezit, ku brenda tij u gjet E.R. si pasagjere.
Ndërkaq, H.K. ka poseduar pa autorizim kokainë për shpërndarje dhe shitje. Gjatë bastisjes në banesën e tij në Prizren, policia ka sekuestruar 4.436 kg kokainë të destinuar për shitje, si dhe mjete dhe pajisje për paketim, qese, role foli, peshore digjitale, kartela dhe para të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Prokurori i çështjes ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të vendosë për të pandehurit sipas ligjit.