Ardian Gola, nënkryetari i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, priti më 24 shkurt 2026 një delegacion të Bashkimit Evropian. Delegacioni drejtohej nga Zuzana Michalcová Šutiaková, shefe për Ballkanin Perëndimor në EEAS, si dhe përfshinte përfaqësuesit e Zyrës së BE-së në Kosovë: Eva Palatova, Blerta Bejtullahu dhe Felix Rathje.
Gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit institucionale, konstituimi i legjislaturës së 10-të të Kuvendit, si dhe ritmi i vendimmarrjes në javët e para të punës. Gola theksoi se institucionet e Kosovës janë plotësisht funksionale dhe të përkushtuara ndaj një agjende të qartë reformash në proceset integruese evropiane.
Si vendime të para të kësaj legjislature u veçuan miratimi i Marrëveshjes për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, nga e cila Kosova përfiton 882.6 milionë euro, si dhe marrëveshjet me Bankën Botërore në vlerë 120 milionë euro. Gjithashtu u përmend miratimi i Buxhetit për vitin 2026 në vlerë 4 miliardë euro, buxheti më i madh në historinë e vendit.
Diskutimi u shtri edhe te roli i komuniteteve joshumicë në Kuvend dhe përfshirja e tyre aktive në jetën institucionale. U theksua se Kosova ka ndërtuar një model të avancuar për garantimin e të drejtave të komuniteteve, me standarde mes më të lartave në Evropë.
Në përfundim, Gola shprehu mirënjohje për mbështetjen e Bashkimit Evropian gjatë krizës politike të vitit të kaluar dhe konfirmoi përkushtimin e Kuvendit për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e reformave drejt Bashkimit Evropian.