Pasditen e 5 gushtit, një argjendari në zonën e Paskuqanit në Kamëz ra pre e një grabitjeje me armë. Dy persona të maskuar, të cilët dyshohet se kanë qenë të pajisur me kallashnikov, hynë në ambientet e biznesit dhe, nën kërcënimin e armës, kërcënuan dy punonjëset që ndodheshin brenda. Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar.
Hetimet, të cilat po ndiqen nga Komisariati nr. 5, kanë zbuluar se autorët kanë treguar kujdes të shtuar për të mos u identifikuar. Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezulton se ata kanë përdorur rrugicat periferike të Kamzës, duke shmangur me vetëdije rrugët kryesore dhe zonat e monitoruara nga kamerat. Ky itinerar i ndjekur përpara dhe pas grabitjes ka çuar grupin hetimor në përfundimin se autorët kanë njohuri të thella për zonën.
Sipas hetimeve, dyshohet se njëri prej autorëve e ka vizituar argjendarinë si klient ditë më parë, çka i ka mundësuar atyre të dinin vendndodhjen e saktë të bizhuterive me vlerë. Autorët kanë arritur të marrin sende floriri me vlerë 1.6 milionë lekë, si dhe një shumë prej 3 milionë lekësh të vjetra cash.
Policia e Shtetit ka ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e Kamzës dhe po kryen kontrolle të përqendruara në zonat e Zall-Herrit dhe Kasallës, ku mendohet se mund të fshihen autorët. Hetuesit kanë sqaruar se personat e përfshirë në këtë ngjarje nuk janë të njëjtët që kryen grabitjen e 16 majit në një tjetër argjendari në Kamëz, pasi ata autorë janë aktualisht të arrestuar.
Përditësime
Grupi hetimor ka sekuestruar prova materiale, të cilat janë dërguar për ekzaminim laboratorik. Policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të gjurmuar lëvizjet e autorëve, të cilët shmangën akset kryesore gjatë largimit. Vlera e arit të vjedhur përllogaritet nga 1.5 deri në 1.6 milionë lekë.