Greqia do të dërgojë dy fregata, përfshirë anijen Kimon, dhe dy avionë luftarakë F-16 në Qipro, njoftoi Ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias. Vendimi erdhi pas incidenteve me dronë në ishullin mesdhetar, ku dy mjete ajrore pa pilot u panë drejt bazave britanike në Akrotiri dhe u interceptuan menjëherë nga autoritetet qipriote.
Situata u përshkallëzua kur radarët zbuluan objekte të dyshimta në hapësirën ajrore, duke aktivizuar sirenat e alarmit në bazën britanike. Autoritetet qipriote urdhëruan evakuimin e bashkisë së Akrotirit, aeroportit civil të Pafosit dhe kufizuan lëvizjet në komunitetin Timi. Më herët, një dron kishte rënë brenda zonës ushtarake britanike në Akrotiri, duke shkaktuar dëme të vogla materiale.
Mbretëria e Bashkuar largoi personelin jo-ushtarak dhe familjet e personelit ushtarak nga baza. Ambasada amerikane në Nikozia lëshoi paralajmërim për qytetarët e saj, duke kërkuar vigjilencë dhe shmangien e lëvizjeve të panevojshme në rajonin e Pafosit.
Zëdhënësi i Qeverisë qipriote Konstantinos Letymbiotis shprehu mirënjohje ndaj Greqisë pas bisedës telefonike ndërmjet presidentit Nikos Christodoulides dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Vendimi grek u mor nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare (KYSEA), ndërsa Dendias deklaroi se Athina do të kontribuojë në mbrojtjen e Qipros kundër veprimeve të paligjshme.
Në Gjirin Persik ndodhen 10 anije me flamur grek dhe 85 marinarë grekë, për të cilët qeveria greke paralajmëron masa riatdhesimi nëse situata përkeqësohet. Qipro mbetet në gatishmëri të lartë.
Përditësime
- Presidenti Nikos Christodoulides deklaroi se droni ishte i tipit Shahed, i prodhuar kryesisht në Iran.
- Fregatat greke janë të pajisura me sisteme moderne mbrojtëse ajrore dhe kundër dronëve.