Rinesa Qeriqi, artiste e njohur me emrin artistik Rinesance, ndërroi jetë në Kanada më 23 tetor 2026, në moshën 25-vjeçare. Shoqata Shqiptare e Rajonit Waterloo ka hapur një fushatë në platformën GoFundMe për të mbledhur donacione për riatdhesimin e trupit të saj në Kosovë.
Fushata synon të mbulojë shpenzimet e transportit dhe procedurat që lidhen me riatdhesimin, në mënyrë që familja dhe të afërmit e saj t’i japin lamtumirën në atdhe. Shoqata u bën thirrje shqiptarëve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë të kontribuojnë.
Sipas njoftimit të shoqatës, Qeriqi u diagnostikua në prill të vitit 2025 me një tumor agresiv në tru, të identifikuar si diffuse midline glioma. Muajt e fundit të jetës i kaloi në rehabilitim, e rrethuar nga familja. Ajo ndërroi jetë me familjarët pranë.
Qeriqi kishte lindur dhe ishte rritur në Kosovë. Në vitin 2018, ajo u shpërngul në Kanada me familjen. Njoftimi i shoqatës thotë se familja synon ta riatdhesojë në vendlindje, ku do të prehet pranë familjarëve dhe miqve.
Shoqata kujtoi gjithashtu se, kur artistja bëri publike diagnozën vitin e kaluar, njerëz nga vende të ndryshme i shprehën mbështetje. Në njoftim thuhet se trashëgimia e saj do të jetojë përmes kujtimeve të të afërmve dhe muzikës që la pas.