Ramush Haradinaj, ish-kreu i Aleancës, shprehu shqetësim për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe protestat që po shoqërohen me tensione e përplasje. Në emisionin Debat Plus, ai tha se po i përcjell ngjarjet me dhimbje dhe shpreson që situata të zgjidhet përmes dialogut politik, pa dhunë.
“Me dhimbje po i përcjelli zhvillimet atje. Lutem që të arrihet një zgjidhje për atë gjendje politike, pa dhunë. Shpresoj pa viktima”, tha Haradinaj.
Ai tha se ajo që po ndodh në Shqipëri prek emocionalisht edhe qytetarët e Kosovës. “Na dhemb sikur ta kishim në familje, gjithë atë që po ndodh”, u shpreh ai.
Haradinaj u bëri thirrje institucioneve dhe protestuesve që të gjejnë një marrëveshje për t’i dhënë fund situatës. “Lutem të gjithëve, vëllezërve e motrave, edhe institucioneve edhe protestuesve, që të arrihet një marrëveshje e të ndalet kjo situatë”, tha ai.
Në fund, Haradinaj shprehu shpresën që Shqipëria ta tejkalojë sa më shpejt krizën dhe t’u rikthehet proceseve të saj politike.