Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar në lidhje me pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat që po zhvillohen prej tri javësh në kryeqytetin shqiptar. Në një intervistë për emisionin Pressing në T7, Haradinaj bëri thirrje për përmbajtje, duke vlerësuar se qytetarët nuk duhet të përfshihen në zhvillimet e brendshme politike të vendeve fqinje.
"Po më vjen marre që i shoh bashkëkombasit në protestë në Shqipëri. Unë nuk do të kisha shkuar dhe do t'u kisha thënë njerëzve të përmbahen", deklaroi Haradinaj.
Këtë qëndrim e ka ndarë edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti. Gjatë një takimi me strukturat e tij partiake, ai i cilësoi tubimet si të dëmshme për Shqipërinë dhe të mbështetura nga faktorë që, sipas tij, nuk i duan të mirën vendit.
Debati publik është thelluar për shkak të pretendimeve se prania e protestuesve nga jashtë kufijve të Shqipërisë nuk është e rastësishme. Ndonëse fillimisht u identifikuan si pjesëtarë të diasporës, sipas qëndrimeve të shprehura nga politikanë në Prishtinë dhe Shkup, dyshohet se këta pjesëmarrës janë mobilizuar nga subjekte politike si Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni VLEN.