Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dalë në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Në një reagim publik ai ka deklaruar se gjuha shqipe në këtë vend nuk është opsionale, por gjuhë autoktone e truallit që ka mbijetuar brez pas brezi pavarësisht sfidave historike.
Haradinaj ka theksuar se shqipja është e garantuar me Kushtetutë dhe përfaqëson të drejtën e patjetërsueshme të çdo shqiptari për ta përdorur në arsim, komunikim dhe jetën publike pa frikë e pa kompromis. Ai ka shtuar se studentët shqiptarë nuk po kërkojnë privilegje, por dinjitet, barazi dhe respekt për identitetin e tyre.
Në postimin e tij Haradinaj ka shkruar se zëri i studentëve përfaqëson çdo shqiptar që nuk pranon të heshtë përballë padrejtësisë dhe ka shprehur mbështetje me zemër dhe krenari për protestën e nesërme.