Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot 23-vjetorin e ndarjes nga jeta të luftëtarit të lirisë, Hajdar Ahmeti. Përmes një mesazhi nderimi, Haradinaj vlerësoi kontributin e Ahmetit dhe familjes së tij atdhetare, duke kujtuar se ai iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës krah të atit, Hasanit.
Sipas Haradinajt, Hajdar Ahmeti e vijoi shërbimin ndaj atdheut edhe në radhët e Policisë së Kosovës, deri në momentin kur u nda nga jeta. Krahas homazheve, Haradinaj mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës së Shtabit Lokal të UÇK-së në fshatin Berjah. Ky aktivitet u ndoq nga bashkëluftëtarë dhe banorë të zonës, të cilët u vlerësuan nga Haradinaj për sakrificat dhe kontributin e dhënë për lirinë e vendit.
Në fjalën e tij, Haradinaj e përshkroi Ahmetin si një luftëtar të çmuar dhe theksoi se vepra e tij, si dhe e të gjithë dëshmorëve të tjerë, mbetet një kujtim i përjetshëm për kombin. Haradinaj vuri në dukje se fshati Berjah është një trevë që i doli zot atdheut, duke dhënë luftëtarë dhe dëshmorë të shquar gjatë periudhës së luftës.