Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, foli për emërimin e anëtarit të fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
11 prilli ishte afati i fundit për këtë emërim, por procedura nuk është përmbyllur ende, duke tejkaluar të gjitha termat e parashikuara.
Haxhiu theksoi se ky proces kushtetues duhej të përmbyllej nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu. Ajo premtoi se do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese.
Sipas saj, proporcionaliteti, përfaqësimi dhe fuqia politike nuk mund të shkelet. "Në raport me këtë çështje, janë tejkaluar të gjitha afatet, mendoj që ka qenë një proces kushtetues që është dashur të përmbyllet nga Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu. Do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë. Unë kam thënë që proporcionaliteti, përfaqësimi dhe fuqia politike nuk mund të shkelen. Nuk mund unë që ta mohoj vullnetin e qytetarëve, nuk mund që ta shtyp atë, ose që me një vendim timin të veproj në kundërshtim", u shpreh ajo.