Henrik Hoxhaj ka dhënë dëshmi në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të dosjes Plumbi i Artë, lidhur me planifikimin e vrasjes së Besmir Haxhias dhe planin e parealizuar kundër Altin Ndocit.
Ngjarja ndaj Haxhias ndodhi gjatë pandemisë së Covid-19, kur Tirana ishte pothuajse bosh. Sipas Hoxhajt, diskutimet u bënë me Nuredin Dumanin, i cili donte të vishte fajin për vrasje në Elbasan personave të tjerë, mes tyre Altin Ndocit, që jetonte në zonën e Misto Mames dhe binte lehtësisht në sy. Plani fillestar parashikonte vrasjen e njërit nga vëllezërit Haxhia për të tërhequr Ndocin në varrim dhe ta ekzekutonin aty, por nuk u realizua.
Për vrasjen e Besmir Haxhias, ekzekutorë do të ishin Hoxhaj dhe Dumani, me Klevis Allën si shofer. Ata përdorën një Toyota me portobagazh, tre kallashnikove dhe një armë brezi. I veshur me uniforma të OFL-së dhe maska silikoni (Hoxhaj nuk e vuri), kaluan pranë makinës së shënjestrës në zonën e Shënavlashit, rreth mesditës. Kur shoferi konfirmoi se Besmir Haxhia ishte me vëllain Viktor Haxhia, Dumani tha "i vrasim të dy".
Dumani donte ta kryente në një lokal bastesh, por Hoxhaj refuzoi për shkak të numrit të lartë të njerëzve. Ndjekën makinën e viktimave, hynë në parakalim kur ato u bllokuan në trafik dhe qëlluan disa herë. Dumani zbriti për të qëlluar nga afër, por arma iu bllokua. Hoxhaj zbriti me kallashnikovin, qëlloi disa herë dhe u larguan drejt Tiranës. Makinën me armët e mori shoferi. Hoxhaj mori 35 mijë euro për këtë ngjarje.
Hoxhaj përmendi gjithashtu një listë të gjatë për Elbasan, ku i ishte ofruar 150 mijë euro. Pas arrestimit të shoferit, ky i fundit lidhi Talo Çelën dhe Ndocin me ngjarjen, sipas Hoxhajt, duke ndjekur udhëzime.
Përditësime
Henrik Hoxhaj rrëfeu se qëndroi dy ditë në shtëpinë e Nuredin Dumanit për të përgatitur vrasjen.
Detaje të reja:
- Besmir Haxhia kishte disa makina me qira dhe një agjenci turistike.
- Njohja me Dumanin filloi në 2020, në ditëlindjen e Festim Qolit, ku shkëmbyen numrat e telefonave.
- Arsye shtesë për vrasjen e Ndocit: ai ishte zënë me Dash Dumanin, vëllain e Nuredin Dumanit.
- Plani për Ndocin në varrim parashikonte ekzekutim në të 3-tat ose 7-tat.
- Lista e gjatë për Elbasan niste me Otin.