Autoritetet italiane vendosën masa sigurie për 30 persona në kuadër të një hetimi për një rrjet financiar të dyshuar se ndihmonte organizatat mafioze të lëviznin dhe të pastronin të ardhura të paligjshme. Operacioni u zhvillua në Itali, Spanjë dhe Zvicër nga Guardia di Finanza e Milanos dhe Monza-Brianza, nën koordinimin e Drejtorisë Antimafia pranë Prokurorisë së Milanos. U sekuestruan pasuri me vlerë mbi 21 milionë euro.
Sipas hetuesve, në rrjet dyshohet se ishin përfshirë persona të lidhur me tri organizata kriminale: ’Ndrangheta-n, Camorra-n dhe të ashtuquajturën “Mafia e Katërt”, që lidhet me krimin e organizuar në zonën e Foggias. Autoritetet e kanë cilësuar strukturën si një “bankë të fshehtë”, të përdorur për lëvizjen dhe pastrimin e të ardhurave të paligjshme në nivel ndërkombëtar.
Sipas të dhënave të hetimit, rrjeti dyshohet se ka krijuar fatura fiktive me vlerë mbi 110 milionë euro. Po ashtu, janë identifikuar operacione të dyshuara të pastrimit ndërkombëtar të parave në vlerën e 68 milionë eurove, të kryera përmes kriptomonedhave.
Hetimi përfshin dyshime për pjesëmarrje në organizatë kriminale, me rrethana rënduese të lidhura me favorizimin dhe përdorimin e metodave mafioze. Në dosje përfshihen gjithashtu dyshime për mashtrim tatimor, vepra penale në fushën e falimentimit, trafik droge dhe shkelje të legjislacionit për armët.
Nga 30 personat ndaj të cilëve u vendosën masa sigurie, 16 u caktuan në burg, ndërsa 14 u vendosën në arrest shtëpie. Në operacion morën pjesë mbi 350 efektivë të Guardia di Finanza-s, me mbështetjen e njësive të specializuara dhe të njësisë I-CAN të Interpolit, e cila bashkëpunon në luftën kundër ’Ndrangheta-s.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë para të gatshme, llogari bankare, kriptomonedha, automjete, mjete lundruese, bizhuteri, ora luksoze dhe makina për numërimin e parave. Hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit person dhe për të rindërtuar lidhjet financiare të rrjetit. Personat e hetuar gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.