Hykmete Bajrami, anëtare e Kryesisë dhe deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, reagoi në Facebook ndaj komenteve me gjuhë vulgare që mori pas postimit ku kishte kritikuar qasjen e qeverisë ndaj rritjes së çmimeve të naftës.
Në reagimin e ri, ajo publikoi një postim të kryeministrit aktual Albin Kurti nga viti 2018. Në të, Kurti shkruante se çmimi i naftës prej 1.20 euro për litër "kurrë s’ka qenë më shtrenjtë".
Bajrami shkroi: "Për të gjithë ata që nuk u pajtuan pa e lexuar fare postimin tim të fundit dhe u shfryen në komente me gjuhë vulgare, këtu po ju lë një postim të Albinit në vitin 2018, lexoni se besoj ju ka marrë malli. Dhe më tregoni a s’po ndjeheni të mashtruar?!".
Në një postskriptum, ajo shtoi: "Për fermerët që i paska përmendë atëbotë do të shkruaj një ditë tjetër, se si subvencionet e vonuara po ua merr ATK-ja me gjoba. Shkoni e pyetni fermerët si ju ka ndryshuar gjendja prej që ka ardhur Albini në qeveri? Për xhipat e qeverisë nuk komentoj, se realiteti s’do koment".
Përditësime
Hykmete Bajrami publikoi postimin e Albin Kurtit nga 4 nëntor 2018, ku ai ankohej për çmimin e naftës në 1 euro e 22 centë. Kurti shtonte: "Shumë më parë bujqësia kosovare s’ka qenë kaq dobët e importi kaq i lartë."