Në fshatin Polac të Skënderajt është bërë varrimi i zyrtarit të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ali Ngucati. Ceremonia e varrimit u parapri nga homazhet në Shtëpinë e Kulturës në Skënderaj, ku morën pjesë familjarë, miq, kolegë, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe qytetarë të shumtë. Pas homazheve, u organizua një akademi përkujtimore për të nderuar veprën dhe kontributin e të ndjerit gjatë luftës çlirimtare dhe në procesin e ndërtimit të institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Në emër të komandantit dhe pjesëtarëve të FSK-së, zëvendëskomandanti gjeneralmajor Enver Cikaqi vlerësoi përkushtimin e Ali Ngucatit ndër vite, nga fillimet në radhët e UÇK-së deri te angazhimi i tij në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës dhe më pas në FSK. Për kontributin e tij folën edhe nënkryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Faik Fazliu, si dhe vajza e të ndjerit, Alisa Ngucati, e cila përcolli mesazhin në emër të familjes.
Ali Ngucati shërbeu si zyrtar i lartë civil në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së deri në momentin e ndarjes nga jeta. Ai la pas babanë, bashkëshorten dhe dy fëmijë. Vepra dhe angazhimi i tij në shërbim të atdheut u cilësuan si shembull i përkushtimit ndaj institucioneve të sigurisë.