Autoritetet lokale të bujqësisë dhe blegtorisë kanë ndërmarrë masa për izolimin dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjes së antraksit, të njohur popullisht si "plasja", pas identifikimit të katër vatrave në qarkun e Gjirokastrës dhe Përmetit. Për secilën prej këtyre vatrave janë vënë në zbatim protokollet shëndetësore të nevojshme për mbrojtjen e blegtorisë.
Ekspertët dhe veterinerët kanë dhënë alarmin për kujdes të shtuar, duke paralajmëruar se antraksi është një sëmundje zoonotike që mund të transmetohet te njerëzit nëpërmjet konsumimit të mishit apo qumështit të kafshëve të infektuara. Në këtë kuadër, blegtorët janë udhëzuar që të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë dhe të shmangin kategorikisht konsumimin ose shitjen e produkteve nga kafshët e sëmura.
Sipas specialistëve, rreziku në këto zona mbetet i lartë për shkak të natyrës së këtij agjenti patogjen, i cili shfaq rezistencë të lartë ndaj mjedisit. Virusi mund të mbijetojë deri në 50 vite, çka favorizon rishfaqjen e rasteve në zonat ku sëmundja është konstatuar më herët. Aktualisht, autoritetet po vijojnë monitorimin intensiv të zonave të prekura për të parandaluar çdo përhapje të mëtejshme të kësaj sëmundjeje dhe për të mbrojtur shëndetin publik.