Bali Pajazit Gashi, Fadil Shaban Elezaj dhe Masar Ymer Dushi, viktima të masakrës së Kralanit gjatë luftës në Kosovë, u identifikuan së fundmi përmes analizës shkencore të ADN-së. Të tre ishin në listën e personave të zhdukur. Mbetjet e tyre mortore u zhvarrosën nga varrezat masive në Bishtazhin.
Rivarrosja do të zhvillohet të premten, më 27 shkurt 2026, në Klinë, sipas kërkesës së familjarëve. Ceremonia organizohet nga Komuna e Klinës, me përkrahje të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Agjenda e ceremonisë përfshin:
- 11:30–12:30: Homazhe në Shtëpinë e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, Klinë;
- 13:00: Akademi përkujtimore në të njëjtën shtëpi kulture;
- 14:00: Rivarrim në Varrezat e Dëshmorëve, vendi Kodra e Kuqe – Zajm, Klinë.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur shprehu ngushëllime familjeve dhe riafirmoi përkushtimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.