Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi zyrtarisht identifikimin e dy personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky proces është realizuar përmes analizave të ADN-së dhe verifikimeve përkatëse nga Instituti për Mjekësi Ligjore. Institucioni ka sqaruar se mbetjet mortore në fjalë ishin zhvarrosur më herët dhe ndodheshin në morgun e institutit, duke hedhur poshtë raportimet fillestare se ato mund të kenë lidhje me procesin e identifikimit në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të komunës së Zubin Potokut.
Sipas Agron Limanit, kryesues i Komisionit, personat e identifikuar janë nga komunat e Klinës dhe Istogut. Identifikimi është arritur falë rishqyrtimit të hollësishëm të mbetjeve mortore dhe mbledhjes së mostrave biologjike plotësuese nga familjarët. Familjet do të njoftohen për rezultatet gjatë kësaj jave, në përputhje me procedurat ligjore.
Ndërkohë, procesi i identifikimit vazhdon për mbetjet mortore të gjetura gjatë verës në Zubin Potok, ku pas konfirmimit të tri viktimave të para – Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut – autoritetet po punojnë për identifikimin e 20 viktimave të tjera. Mostrat për këto raste janë dërguar në Hagë, te Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.
Institucionet e Kosovës vijojnë kërkimet në terren, përfshirë fshatin Kozhle në Serbi, dhe po kërkojnë qasje në arkivat serbe për zbardhjen e mëtejshme të fatit të personave të zhdukur. Sipas Kushtrim Garës, deri më tani në territorin e Serbisë janë konfirmuar pesë varreza masive, ku janë gjetur mbi 950 viktima. Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë raporton se numri i përgjithshëm i të zhdukurve mbetet 1.577, ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave të dokumentuara të luftës arrin në 12.230.