Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) parashikon mot me diell dhe vranësira në Kosovë gjatë fundjavës, më 24 dhe 25 tetor 2026. Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 19 gradë Celsius, ndërsa ato minimale do të zbresin deri në zero gradë.
Të shtunën, më 24 tetor, pritet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 16 deri në 19 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja, me shpejtësi prej 1 deri në 4 metra në sekondë.
Të dielën, më 25 tetor, moti do të jetë i vranët, me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 deri në 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 15 deri në 18 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 3 metra në sekondë.
Sipas IHMK-së, kushtet biometeorologjike gjatë fundjavës do të jenë përgjithësisht të favorshme për shumicën e njerëzve. Temperaturat e mëngjesit, veçanërisht në zonat e ulëta, mund të shkaktojnë ndjesi të të ftohtit, ndaj rekomandohet veshje e përshtatshme. Gjatë ditës, temperaturat relativisht të këndshme dhe era e lehtë pritet të krijojnë kushte të mira për aktivitete në ambient të hapur.