Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dorëzuar të enjten kërkesë drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe shefave të grupeve parlamentare për inicimin e një debati parlamentar. Kërkesa lidhet me moszbatimin e legjislacionit në fuqi për realizimin e të drejtës në pensionin e moshës krahas pensioneve dhe beneficioneve për kategoritë e dala nga lufta.
Hulumtuesi i IKD-së, Naim Jakaj, deklaroi se Kuvendi duhet të nxjerrë një rezolutë që e obligon Ministrinë e Financave për përfitimin e pensioneve të dyfishta. Ai kërkoi zhvillimin e debatit brenda dy-tre javësh ose një muaji, për të sqaruar arsyet e mosnxjerrjes së aktit ligjor përkatës, pasojat juridike, sociale dhe financiare të këtij mosveprimi, si dhe nevojën për veprim urgjent nga Ministria e Financave dhe Ministria e Punës. Jakaj pret reagim të shpejtë nga shefat e grupeve parlamentare dhe thirrje të seancës nga kryetarja e Kuvendit.
Hulumtuesja Arrita Rezniqi theksoi se legjislacioni aktual ua njeh këtyre kategorive të drejtën për dy pensione. Kjo e drejtë është konfirmuar përmes praktikës gjyqësore deri në nivelin e Gjykatës Supreme. Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së ka paraqitur rreth 700 padi për këtë të drejtë, me aktgjykime të pranuara të gjitha aprovuese.
Rezniqi sqaroi se Ligji Nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave të dhunës seksuale, viktimave civile dhe familjarëve të tyre është ligj special në raport me Ligjin Nr. 04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti. Në nenin 23, paragrafi 2, ai përcakton se shfrytëzuesit e pensionit bazë mund të realizojnë të gjitha të drejtat dhe benefitet e përcaktuara, nëse i përmbushin kushtet.