Gjatë kontrolleve të zhvilluara në terren, strukturat e Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) kanë evidentuar dy raste të transportit të paligjshëm të lëndës drusore në qarqet Kukës dhe Dibër.
Në zonën e njohur si stanet e Lusnës në Kukës, Drejtoria Rajonale e IKMT-së ka bllokuar 5 metër kub dru zjarri, të cilat transportoheshin pa dokumentacionin e nevojshëm ligjor. Autorët e këtij rasti janë shoqëruar nga Policia e Shtetit, ndërsa sasia e sekuestruar i është vënë në dispozicion Njësisë Administrative Ujmisht për nevojat e ngrohjes së shkollës dhe të qendrës së fshatit.
Një rast i dytë është konstatuar nga Drejtoria Rajonale e IKMT-së në Dibër në aksin rrugor Linos–Guri i Bardhë–Martanesh. Gjatë këtij kontrolli, inspektorët kanë ndaluar një automjet që po transportonte lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës. Për shkeljen e konstatuar në këtë qark, ndaj subjektit përgjegjës janë aplikuar masa administrative, që përfshijnë gjobën dhe bllokimin e ngarkesës së paligjshme.