Përfaqësues të 16 familjeve, banesat e të cilave ndodhen pranë kanalit të ujërave tek Ura e Dajlanit në Durrës, kanë kërkuar zgjidhje për strehimin në Bashkinë Durrës. Shembja e banesave u realizua sot nga IKMT për shkak të projektit të ri urbanistik të zgjerimit të kanalit.
Banorët ishin njoftuar disa ditë më parë, por institucionet nuk iu dhanë kohë për të përmbushur afatin ligjor prej 10 ditësh për gjetjen e strehës alternative. IKMT kishte caktuar si afat të fundit ditën e mërkurë, por deklaroi se urdhri do të zbatohet sot për të shmangur reshjet e dendura shiu të parashikuara në ditët në vijim.
Gjatë protestës para bashkisë, disa kryefamiljarë u shoqëruan në polici. Një banore tregoi se prindërit e pesë fëmijëve u morën nga policia, duke lënë fëmijët e vegjël vetëm në rrugë mes shiut. Ajo u shpreh: "I morën ata nënën dhe babanë e 5 fëmijëve. I morën kot, edhe mamanë edhe babanë. Fëmijët po rrinë atje, vetëm."
Familjet, të cilat jetojnë aty prej 20 vitesh dhe kishin nisur procesin e legalizimit, kërkojnë strehim dhe bonus qiraje. Ismail Jakupi, përfaqësues i organizatës Ushten që mbron të drejtat e komunitetit rom dhe egjiptian, deklaroi se në takimin me specialistë të bashkisë u premtua lidhja e bonusit qiraje.
Më herët, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako njoftoi në rrjete sociale se do të vijojë me prishjen e çdo objekti që pengon zgjerimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese.
Përditësime
16 familje të shembura janë romë, sipas të dhënave zyrtare.