Tevide Imeri, kryetare e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, në një intervistë për Ekonomia Online, ka kërkuar nga Qeveria të përshpejtojë nënshkrimin e kontratës kolektive dhe të nisë një plan urgjent për punësimin e rreth 4 mijë punëtorëve të rinj shëndetësorë.
Ajo vlerësoi se mungesa e stafit po rëndon seriozisht sistemin publik shëndetësor përballë kërkesave në rritje. Sindikata ka dërguar një shkresë dhe email Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar takim dhe vazhduar punën me grupet punuese në hartimin e kontratës kolektive, e cila mungon prej kohësh dhe ka krijuar shumë hendek në institucionet shëndetësore.
Imeri shpjegoi se në mandatin e mëparshëm kishte pasur premtime nga ministri për nënshkrimin e kontratës, por qeveria e kaluar ose ministria në detyrë kishin kompetenca të kufizuara. Ajo shprehu shpresën se tani kushtet janë të pjekura për arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas saj, shëndetësia duhet të trajtohet si prioritet nga ekzekutivi. Investimi dhe menaxhimi më i mirë do të forcojnë kapacitetet njerëzore dhe do të reduktojnë shpenzimet e qytetarëve për trajtime jashtë vendit.