Ina Zhupa, kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, reagoi ndaj Paketës së Maleve, duke e cilësuar atë si "paketë e tjetërsimit të pronës private".
Sipas saj, kjo nismë, e prezantuar fillimisht si projekt për zhvillimin dhe rivitalizimin e zonave malore, është shtrirë në fusha, kodra dhe bregdet, duke rrezikuar të drejtat e pronarëve që nuk kanë mundësi ekonomike për të investuar në resorte, agroturizëm apo aktivitete të tjera.
Zhupa akuzon qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se favorizojnë klientelën e tyre, duke u dhënë atyre tokat private me justifikimin se i punojnë ato. Ajo e quan këtë një goditje ndaj shtetit ligjor dhe cenim të të drejtës së pronës si e drejtë e shenjtë.
Në reagimin e saj, Zhupa deklaroi: "Paketa e maleve ose paketa e tjetërsimit të pronës private. Për ata që nuk kanë para të investojnë në pronat e tyre, për ata që nuk ndërtojnë dot resorte, agroturizëm apo çdo lloj aktiviteti tjetër ekonomik, për ata nuk ka pronësi. Për ata nuk ka toka! Vetëm të pasurit, ata që kanë para të investojnë, ata që janë miqtë e Edi Ramës. Ata mund të gëzojnë, përveç tokave publike që ua dhanë për një copë buke, tanimë do t’u japin edhe tokat private, me justifikimin se këta i punojnë. Ky është fundi i shtetit ligjor! Është fundi i Kushtetutës dhe është fundi i respektimit të pronës si një e drejtë e shenjtë."
Ajo shton se paketa u nis për malet ku nuk kishte kërkesë për ndërtim apo jetë, por tani është zgjeruar kudo për të marrë tokën e njerëzve në pamundësi ekonomike, duke e cilësuar atë si "paketë e vjedhjes së madhe".