Integrated Energy BV SPV, kompania që mban kontratën PPP për inceneratorin e Tiranës, merr rreth 1,4 miliardë lekë nga buxheti i shtetit në vitin 2025, sipas Open Data. Kjo shifër e shton totalin e fondeve publike të transferuara deri më tani në 9,1 miliardë lekë, të barasvlefshme me rreth 92 milionë euro.
Fondet janë paguar ndonëse objekti kryesor i kontratës, ndërtimi dhe funksionimi i inceneratorit, nuk është realizuar. Kontrata është reduktuar në depozitim mbetjesh në landfill, pa proces incinerimi, pa rikuperim energjie dhe pa teknologjinë e parashikuar.
Zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë pohuar se pagesat kryhen për shkak të faktit se kontrata PPP nuk është shpallur e pavlefshme dhe vazhdon të jetë në fuqi ligjërisht. Ata argumentojnë se ministria ka detyrim për ta zbatuar kontratën dhe për të kryer pagesat e parashikuara, pavarësisht mungesës së objektit. Pagesat nuk lidhen drejtpërdrejt me ekzistencën e inceneratorit, por me ofrimin e "shërbimit të integruar të menaxhimit të mbetjeve".
Kontrata parashikon një tarifë fikse vjetore, e cila nuk kushtëzohet nga përfundimi i investimit. Kompania përfiton fonde publike duke deklaruar se është në "gatishmëri" për ofrimin e shërbimit, edhe pa impiantin.
Aktualisht, kompania ndodhet në sekuestro dhe administrohet nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara. Çdo vit pa ndërprerje ose rinegocim të kontratës, pagesat vazhdojnë, ndërkohë që trajtimi i mbetjeve urbane nuk përmirësohet.