Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në kryeqytetin gjerman, ku një automjet dyshohet se ka hyrë në turmën e pjesëmarrësve gjatë manifestimit të Paradës së Krenarisë (Christopher Street Day). Ngjarja është regjistruar në zonën e parkut Tiergarten, pranë rrugës Lennestrasse, vend ku po zhvilloheshin aktivitetet përmbyllëse të këtij manifestimi vjetor të komunitetit LGBTQ+.
Pas përplasjes, Policia e Berlinit ka ndërmarrë një operacion të gjerë kërkimi për të gjetur personat e dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje. Në zonë janë dislokuar forca të shumta policore, ekipe të zjarrfikësve dhe shërbime mjekësore, të cilat po ofrojnë ndihmën e parë për personat e lënduar. Autoritetet ende nuk kanë konfirmuar numrin e saktë të të lënduarve apo gjendjen e tyre shëndetësore, ndërsa hetimet për zbardhjen e dinamikës së plotë janë në zhvillim e sipër.
Organizatorët e Christopher Street Day njoftuan zyrtarisht ndërprerjen e menjëhershme të aktivitetit pas këtij incidenti. Ata u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve që të largohen nga zona e Tiergarten dhe Kolona e Fitores në mënyrë të qetë dhe të rregullt, duke drejtuar turmën drejt Stacionit Qendror të Berlinit. Policia ka kërkuar nga qytetarët që të shmangin zonën për t’u lejuar ekipeve të emergjencës kryerjen e detyrës së tyre.
Përditësime
Zëdhënësi i Policisë së Berlinit konfirmoi përmes platformës X se automjeti ka hyrë qëllimisht në parkun Tiergarten gjatë paradës së krenarisë, duke synuar turmën. Autoritetet kanë angazhuar ekipe shtesë mbështetëse për të përforcuar operacionin e emergjencës në terren.
Autoritetet kanë konfirmuar se incidenti gjatë paradës së krenarisë në Berlin la 1 person të vdekur dhe 16 të plagosur, nga të cilët 8 janë në gjendje të rëndë dhe 3 në gjendje kritike. Hetimet përqendrohen te një furgon i bardhë, i cili u përplas me një pemë pasi goditi turmën. Shoferi, i cili është i njohur për autoritetet për lidhje me qarqe radikale, është larguar në këmbë dhe po kërkohet nga policia përmes helikopterëve. Në operacionin e shpëtimit janë angazhuar mbi 150 zjarrfikës, ndërsa një zonë emergjente për helikopterët është vendosur pranë Reichstagut.
Policia e Berlinit ka identifikuar autorin e dyshuar të sulmit gjatë paradës së krenarisë si Abdul B., 21 vjeç. I dyshuari, i cili është ende në arrati, përshkruhet si 1.90 metra i gjatë, i veshur me bluzë të zezë me kapuç dhe pantallona të bardha. Autoritetet paralajmërojnë se ai mund të jetë i armatosur dhe tejet i rrezikshëm. Automjeti i përdorur në incident u gjet i braktisur pasi ishte përplasur me një pemë në afërsi të vendngjarjes. Përveç viktimave të lënduara fizikisht, shërbimet mjekësore raportuan se kanë trajtuar 30 persona për gjendje shoku. Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, dhe kancelari Friedrich Merz dënuan sulmin, duke shprehur solidaritet me familjet e prekura dhe duke garantuar se hetimi po trajtohet me prioritet maksimal nga njësitë antiterror.
Zëdhënësi i policisë, Florian Nath, konfirmoi se i dyshuari Abdul B. njihet nga autoritetet për lidhje të mëparshme me skenën islamike në Berlin. Sipas hetuesve, incidenti ndodhi rreth orës 22:00. Policia po verifikon mundësinë e largimit të një ose më shumë bashkëpunëtorëve nga furgoni. Autori i dyshuar përshkruhet si person me trup të dobët dhe flokë të zinj, ndërsa kërkimet në terren vijojnë me intensitet.