Mbrëmjen e së dielës, në një pallat banimi në Berlin, u raportuan të shtëna me armë zjarri, duke lënë pesë persona të plagosur. Ngjarja ndodhi në një apartament në rrugën Wichmannstraße, në zonën Tiergarten, në katin e pestë.
Policia dhe zjarrfikësit u mobilizuan menjëherë, duke rrethuar zonën përreth, përfshirë rrugën Budapester Straße pranë hotelit InterContinental Berlin. Efektivët policorë, të armatosur me armë automatike, izoluan vendin e ngjarjes, që mbetet i mbyllur.
Sipas medias gjermane Bild, dy nga të plagosurit janë në gjendje kritike dhe trajtohen në spitale. Një prej tyre arriti të shkojë vetë në spitalin Franziskus-Krankenhaus. Ekipet e emergjencës dhanë ndihmën e parë në vend për një grua të plagosur rëndë, një burrë dhe dy persona të tjerë, të cilët u transportuan në institucione mjekësore të ndryshme.
Një zëdhënës i qendrës operative të policisë deklaroi se hetimet vazhdojnë dhe nuk ka ende informacion zyrtar shtesë mbi motivet apo arsyet e ngjarjes. Policia ka arrestuar më shumë se një të dyshuar, pa dhënë detaje për numrin apo identitetin e tyre. Çështja pritet t’i kalojë një njësie speciale të hetimit të vrasjeve.
Autoritetet ruajnë me forca të shtuara zonën e ngjarjes dhe spitalet përkatëse, ndërsa operacioni policor është ende në zhvillim.
Përditësime
Policia konfirmoi se të shtëna ndodhën rreth orës 17:00. Hetimet paraprake tregojnë se ngjarja pasoi një konflikt brenda banesës.