Gjatë orëve të para të së martës, rreth orës 01:30, një incident i dhunshëm ndodhi në ambientet e dhomave të izolimit në Komisariatin e Policisë së Sarandës. I arrestuari Devis Saliaj, 22 vjeç, ka shkaktuar kaos ndërsa po shoqërohej për në tualet për nevoja personale. Gjatë kthimit për në dhomën e ndalimit, i riu ka kundërshtuar me dhunë efektivët e policisë, duke hedhur dhe goditur sende rrethanore që ndodheshin në korridor. Përshkallëzimi i situatës kërkoi ndërhyrjen e forcave shtesë të policisë për të vënë nën kontroll të riun dhe për ta izoluar sërish. Në përpjekjet për qetësimin e situatës u angazhuan edhe të ndaluarit e tjerë në ambientet e komisariatit.
Devis Saliaj, me banim në Tiranë dhe qëndrim sezonal në Sarandë, u ndalua më parë në kuadër të operacionit policor të koduar Vjeshta, i cili synonte goditjen e një rrjeti të shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave dhe zonave të plazhit. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij me qira në Sarandë, autoritetet sekuestruan një armë zjarri pistoletë me mulli. I riu rezulton me precedentë të mëparshëm penalë, pasi është arrestuar edhe dy herë të tjera në kryeqytet. Sipas të dhënave, në qershor të vitit 2025, ai mbeti i plagosur me mjet prerës nga një person i identifikuar si Denis Beqo.
Përditësime
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pezulloi nga detyra 3 efektivë, pasi nuk ndërhynë për të parandaluar dëmet materiale të shkaktuara nga i arrestuari. Gjatë incidentit, 22-vjeçari Devis Saliaj shkatërroi kamerën e sigurisë, tavanin dhe orenditë e dhomës së izolimit. Pas shfaqjes së problemeve emocionale, i riu mori trajtim mjekësor nën kujdesin e personelit shëndetësor.