Ngjarja e ndodhur të shtunën në Kuvendin e Kosovës ka marrë vëmendje të gjerë ndërkombëtare, pasi deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka hedhur vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Incidenti pasoi deklaratën e Kurtit, i cili bëri të ditur se i duhej më shumë kohë për të propozuar një kandidat për postin e kryetarit të Kuvendit. Pasi Kurti u ul në sallë, Kadrijaj e ka qëlluar atë disa herë radhazi, duke shkaktuar tensione që çuan në ndërprerjen e menjëhershme të seancës parlamentare.
Ngjarja është raportuar nga agjencitë dhe mediat kryesore botërore, të cilat kanë shpërndarë pamje video dhe fotografike nga sallës së Kuvendit. Agjencia Associated Press publikoi videon me titull: “Ligjvënësja opozitare hedh vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në seancën parlamentare”. Agjencia Reuters ka vënë në dispozicion të mediave ndërkombëtare materiale vizuale, ndërsa gazeta The Guardian publikoi pamjet nën titullin: “Ligjvënësja kosovare i hedh vezë kryeministrit”. Gjithashtu, raportime për incidentin kanë realizuar edhe portali i BBC-së dhe Sky News.
Përveç mediave anglosaksone, ngjarja është përcjellë edhe nga një sërë mediash të tjera të rajonit dhe më gjerë. Media si La Stampa (Itali), Metropoles (Brazil), Dunavmost (Bullgari) dhe ATP News kanë publikuar në llogaritë e tyre në rrjetin social X pamjet e incidentit ku Kadrijaj qëllon Kurtin.