Inspektorati Mjedisor ka ndërmarrë veprime në lagjen Kodrina të Prishtinës, pas ankesave të banorëve për hedhjen ilegale të mbeturinave. Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e bëri të ditur lajmin përmes një postimi në Facebook.
Sipas njoftimit të Pacollit, Inspektorati Mjedisor ka urdhëruar Kompaninë Rajonale të Mbeturinave Pastrimi që të pastrojë menjëherë mbeturinat, të cilat, sipas saj, janë hedhur ilegalisht nga persona të papërgjegjshëm.
Pacolli tha se ankesat e qytetarëve janë prioritet dhe bëri thirrje për menaxhim më të përgjegjshëm të mbeturinave, si dhe për ruajtjen e pastërtisë në lagjet e qytetit.
“Zëri juaj është prioritet për ne! Bëjmë thirrje për menaxhim të përgjegjshëm të mbetjeve, që lagjet tona të mbeten të pastra dhe të sigurta”, shkroi Pacolli.