Specialistët e Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët ndërkombëtarë, kanë finalizuar procedurat për ekstradimin e dy personave të kërkuar nga drejtësia. Operacionet janë realizuar në dy drejtime të ndryshme, mes Shqipërisë, Italisë dhe Gjermanisë.
Shtetasi Armando Valchizan, 42 vjeç, i cili njihet edhe me identitetet Armando Dervishi, Altin Dervishi, Armando Gheorghe dhe Martin Dervishi, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë. Sipas njoftimeve zyrtare, Gjykata e Pordenones në Itali e ka dënuar këtë shtetas në vitin 2023 me 5 vjet e 9 muaj burgim për veprat penale të vjedhjes në rrethana rënduese dhe emigracionit të paligjshëm.
Në operacionin e dytë, një shtetas nga Venezuela, i identifikuar si G. C., alias Y. D., 33 vjeç, është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Tiranës, në vitin 2025, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë "Arrest në burg". Ai akuzohet për veprat penale "Trafikimi i personave të rritur" dhe "Shfrytëzimi i prostitucionit".