Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se pretendimet e një qytetari për keqtrajtim nga zyrtarë policorë në Leposaviq nuk mbështeten nga provat. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur më 13 janar 2026, rreth orës 22:00, te Ura e Bistricës në një pikë kontrolli.
Ankuesi kishte deklaruar se drejtonte një automjet Audi A4 me targa të Republikës së Serbisë, me dy pasagjerë brenda. Sipas tij, gjatë kontrollit policor ishte goditur dhe kishte pësuar lëndime në qafë, bërrylin e majtë, dorën e djathtë dhe këmbë. Ai kishte kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë-Veri. Gjithashtu, pretendoi se një zyrtar policor kishte goditur një pasagjer me kondak të armës së gjatë në këmbë.
Hetuesit e IPK-së u njoftuan para mesnatës së 13 janarit nga Policia e Kosovës. Menjëherë nisën veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. Ankuesi u intervistua në cilësinë e dëshmitarit, në prani të avokatit të tij.
IPK-ja ka siguruar prova materiale, përfshirë video-incizime nga kamerat e sigurisë që mbulojnë zonën e ndalesës. Pas analizës, provat nuk pasqyrojnë pretendimet e ankuesit dhe konfirmojnë se zyrtarët policorë nuk kanë tejkaluar autorizimet ligjore as nuk kanë përdorur forcë.
Bazuar në këto gjetje, hetuesit e IPK-së kanë vlerësuar pretendimet si të sajuara. Prokurori kompetent ka kërkuar inicimin e hetimit penal ndaj ankuesit për veprën penale "Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë". IPK-ja thekson se trajton seriozisht çdo ankesë ndaj policisë, në përputhje me ligjin.