Që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara sulmuan Iranin, ky vend ka regjistruar numrin më të lartë të viktimave. Shifrat e fundit, të përditësuara dje, tregojnë 787 persona të vrarë dhe mijëra të plagosur në Iran, ndërsa numri vazhdon të rritet.
Pas Iranit, Libani ka pësuar 40 viktima të vrarë dhe 246 të plagosur. Në Izrael, kanë humbur jetën 11 persona, me mijëra të tjerë të plagosur. Sa i përket forcave të Shteteve të Bashkuara, 6 ushtarë janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur.
Vende të tjera në rajon, si Iraku, Kuvajti, Jordania, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, kanë raportuar dëme në infrastrukturë dhe viktima njerëzore që nga fillimi i luftës.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Katarit, dy raketa balistike iraniane goditën këtë mëngjes vendin. Njëra u ndalua nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa tjetra goditi bazën ajrore amerikane Al Udaid, bazën më të madhe të Shteteve të Bashkuara në rajon. Nuk u raportuan viktima.