Joe DioGuardi, ish-kongresmen amerikan dhe mbështetës i kahershëm i çështjes shqiptare, dërgoi një mesazh motivues për Kombëtaren e Kosovës në prag të ndeshjes vendimtare të play-off-it për Kupën e Botës 2026 kundër Turqisë.
Në mesazh, ai kujtoi betejat në Uashington për të drejtat e popullit shqiptar dhe krahasoi arritjet sportive me qëndresën historike. "Kam qenë në Uashington me ju duke luftuar për të drejtat e popullit shqiptar. Do të doja shumë të isha në ndeshje me ju, por të gjithë e dinë se çfarë keni arritur. Keni bërë diçka që është thuajse e pamundur; keni mposhtur shtete të mëdha", shkroi DioGuardi.
Ai theksoi se kjo ndeshje do ta rrisë reputacionin e shqiptarëve në botë dhe evokoi figurën e heroit kombëtar Skënderbeu. "Ju keni shpirtin dhe një histori të tërë duke luftuar përballë vështirësive të mëdha. Mjafton të mendosh çfarë ka arritur Skënderbeu. Do të doja të isha me ju kundër Turqisë, por mezi pres t’ju takoj në Amerikë kur të ktheheni me fitore", përfundoi mesazhi.
Në një video, DioGuardi u shfaq i veshur me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë, duke përcjellë simbolikë uniteti. Ndeshja Kosovë-Turqi zhvillohet të enjten në orën 20:45 në stadiumin Fadil Vokrri.