Një gjykatë në Ekuador ka shpallur fajtor ish-presidentin Lenin Moreno për marrje ryshfeti në këmbim të sigurimit të një kontrate publike për ndërtimin e hidrocentralit Coca Codo Sinclair. Prokuroria e shtetit ka njoftuar se në këtë rrjet korrupsioni, i cili dyshohet se ka funksionuar në periudhën 2009–2018, janë shpallur fajtorë katër persona. Organi i akuzës ka kërkuar për Morenon një dënim prej 6 vitesh e 6 muajsh burg, ndërsa masa përfundimtare e dënimit mbetet ende për t'u përcaktuar nga gjykata.
Sipas hetimeve, kompania kineze Sinohydro akuzohet se ka shpërndarë rreth 76 milionë dollarë në formë ryshfeti për të siguruar projektin energjetik. Lenin Moreno, 73 vjeç, i cili ka shërbyer si president i vendit nga viti 2017 deri në vitin 2021, i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Ai deklaroi se nuk ka përfituar “asnjë qindarkë” nga kompania kineze dhe e cilësoi procesin si një përndjekje politike të organizuar nga paraardhësi i tij, Rafael Correa.
Në dosjen hetimore janë përfshirë rreth dy duzina personash, mes të cilëve bashkëshortja dhe vajza e ish-presidentit, drejtues biznesesh, si dhe një ish-ambasador kinez në Quito. Lenin Moreno fillimisht shërbeu si nënkryetar në administratën e Rafael Correas, për t'u distancuar më pas politikisht nga ai. Correa, i cili aktualisht banon në Belgjikë, është dënuar në vitin 2020 me 8 vite burg për korrupsion, ndërsa gëzon azil politik në atë shtet.
Përditësime
Gjykata në Ekuador dënoi zyrtarisht ish-presidentin Lenin Moreno me 5 vite burg për akuzat e korrupsionit. Trupi gjykues shpalli fajtorë edhe 6 persona të tjerë të lidhur me këtë skemë. Në kuadër të të njëjtit vendim, bashkëshortja dhe vajza e Lenin Moreno u dënuan me 3 vite burg për bashkëpunim. Ish-kreu i shtetit paralajmëroi apelimin e vendimit të shkallës së parë.
Prokuroria e Ekuadorit kishte kërkuar një dënim me 6 vite e 6 muaj burg për ish-presidentin Lenín Moreno, duke tejkaluar vendimin e shkallës së parë prej 5 vitesh. Hetimet zbuluan se veprat penale janë kryer në periudhën midis viteve 2007 dhe 2013. Rrjeti i korrupsionit dyshohet se ka funksionuar gjatë ndërtimit të projektit të hidrocentralit Coca Codo Sinclair. Lenín Moreno, i cili aktualisht përdor karrocë me rrota, vazhdon ta kundërshtojë vendimin gjyqësor.