Kurba e infeksioneve me grip në Shqipëri ka rënë, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik. Numri i rasteve respiratore ka zbritur në rreth 13 mijë në javë, ndërsa shtrimet spitalore janë përgjysmuar në rreth 60 javore te të rriturit në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT).
Epidemiologu Artan Simaku deklaroi se piku i infeksioneve ndodhi në janar dhe gripi nuk ka dalë ende nga qarkullimi. Ai parashikoi vazhdim të situatës deri në mes të muajit mars. Në janar u regjistrua një rast fatal, te një pacient me sëmundje kronike bashkëshoqëruese.
"Numri i infeksioneve ka pësuar rënie duke shkuar në 13 mijë raste në javë. Kemi përgjysmim të shtrimeve, rreth 60 shtrime javore tek të rriturit në QSUT, por gripi nuk ka ikur nga qarkullimi. Fatalitet 1 rast, i cili kishte probleme të theksuara kronike", u shpreh Simaku.
Autoritetet shmangin relaksimin dhe theksojnë kujdesin e shtuar për grupet e riskut. Në vend qarkullojnë infeksione respiratore, ku mbizotëron varianti A i gripit me dy nëntipet, së bashku me COVID-in dhe virusin sinsicial.
Epidemiologët nxisin vaksinimin dhe shmangien e grumbullimeve për të kufizuar përhapjen.