Gripi ka ulur intensitetin e qarkullimit në fillim të pranverës, por agresiviteti i tij mbetet i lartë. Stina e pranverës ka nisur me rënie të ndjeshme të infektimeve nga tipi A i influencës, i cili këtë sezon ka dominuar ndaj virozave të tjera.
Specialistët e Shëndetit Publik njoftuan për 12 500 të prekur në javë, shifër shumë më e ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Raportohet përgjysmimi i urgjencave dhe shtrimeve në spitale.
Megjithatë, sezoni nuk ka kaluar pa raste të rënda dhe fatalitete. Instituti i Shëndetit Publik konfirmon një viktimë: një i moshuar me sëmundje të tjera shoqëruese humbi jetën në janar për shkak të komplikacioneve nga gripi.
Sezoni i gripit vazhdon deri në fund të marsit. Me zbehjen e tij, në popullatë rishfaqen alergjitë e stinës së pranverës.