Në fund të janarit, agresiviteti i gripit të këtij sezoni ka rritur urgjencat dhe shtrimet në spitale, me pikun e qarkullimit të virusit dhe infektimeve në popullatë. Mbi 100 raste në ditë i drejtohen shërbimit infektiv të QSUT-së me komplikacione kryesisht nga nëntipi AH3N2 dhe variante të tjera.
Mjekët vlerësojnë se 40% e të prekurve në urgjencën infektive kërkojnë shtrim për bronkopneumoni dhe komplikacione të tjera. Migena Qato, mjeke infeksioniste, deklaroi: "Bronkopneumonitë që në këto momente janë shqetësimi ynë kryesor. Janë pacientë që absolutisht kërkojnë një kujdes të veçantë dhe shpeshherë hospitalizim pavarësisht grupmoshave të tyre, nga të rejat deri te të vjetrat, për të paraprirë komplikacionet."
Ajo shtoi se 30-40% e rasteve tërheqin vëmendje për hospitalizim menjëherë, ndërsa disa pacientë kthehen në urgjencë pas mjekimit ambulatorial të pamjaftueshëm.
Rastet prekin të gjitha grupmoshat, por nevojën më të madhe për shtrim e kanë të sëmurët kronikë dhe të moshuarit për shkak të mbivendosjes së sëmundjeve me gripin.
Fluksi në pediatri
Në urgjencën pediatrike të QSUT-së, numri i vizitave është edhe më i lartë. Pediatrit theksojnë se jo gjithmonë bëhet fjalë për raste urgjente, pasi prindërit drejtohen direkt në spital për temperatura të larta që zgjasin disa ditë, pa konsultuar mjekun e familjes. Kjo ngarkon sistemin shëndetësor dhe rrezikon fëmijët me viroza të tjera.
Krahas gripit, tek fëmijët qarkullon edhe virusi respirator sinkicial dhe viroza të tjera.