Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për të refuzuar projektin për gazsjellësin amerikan, duke kërkuar një qasje më gjithëpërfshirëse në proceset vendimmarrëse me ndikim afatgjatë.
Sipas Kryeziut, pavarësisht legjitimitetit që buron nga vota, asnjë qeveri nuk duhet të përcaktojë e vetme orientimin energjetik, ekonomik dhe strategjik të Kosovës për dekadat e ardhshme. Ai thekson se ky investim nuk përbën thjesht një projekt ekonomik, por ndërlidhet drejtpërdrejt me sigurinë energjetike, sigurinë kombëtare, zhvillimin afatgjatë ekonomik, përfshirjen e vendit në iniciativa rajonale dhe forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, Kryeziu argumentoi se rëndësia e këtij projekti kërkon transparencë të plotë dhe një proces të gjerë konsultimi. Ai kërkoi që procesi të shoqërohet me:
• Debat të gjerë publik
• Përfshirje të komunitetit të biznesit
• Konsultim me ekspertë të fushës
• Pjesëmarrje të shoqërisë civile dhe partive politike
• Përfshirje të aktorëve të tjerë relevantë