Elemente të trashëgimisë muzikore shqiptare janë integruar në kolonën zanore të njërit prej projekteve më të rëndësishme kinematografike të viteve të fundit, filmit "The Odyssey". Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi të kryeministrit Edi Rama, i cili ndau detaje mbi procesin krijues të kompozitorit fitues të çmimit Oscar, Ludwig Göransson.
Sipas njoftimit, Göransson ka zhvilluar një vizitë në jug të Shqipërisë për të hulumtuar nga afër traditat vendase. Gjatë këtij udhëtimi, ai është njohur me iso-polifoninë, e cila gëzon statusin e mbrojtjes nga UNESCO si Trashëgimi Kulturore Jomateriale, si dhe me tingujt specifikë të fyellit dyjar.
Këto elemente muzikore kanë shërbyer si burim frymëzimi për kompozitorin suedez në krijimin e muzikës shoqëruese të filmit. Regjia e "The Odyssey" i është besuar regjisorit me famë botërore Christopher Nolan, ndërsa produksioni konsiderohet si një nga projektet më të pritura në industrinë e kinemasë.