Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, dhe kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, kanë nënshkruar marrëveshjen e grantit në vlerë prej 1 milion e 650 mijë euro. Ky investim, i cili është pjesë e Projektit të Banimit Social Adekuat, synon përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet në nevojë përmes renovimit të 55 shtëpive dhe ndërtimit nga e para të 5 shtëpive të tjera.
Projekti në fjalë është pjesë e një angazhimi më të gjerë të qeverisë, të prezantuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, më 22 gusht 2026. Ky plan parasheh një investim total prej rreth 37 milionë eurosh, i cili do të shtrihet në 21 komuna të Kosovës. Sipas planeve të ekzekutivit, synohet ndërtimi dhe adaptimi i gjithsej 773 njësive të banimit. Komunat përfituese mbajnë një rol kyç në këtë proces, pasi ato janë përgjegjëse për zhvillimin e procedurave të prokurimit dhe përzgjedhjen e familjeve që do të përfitojnë nga ndihma shtetërore.
Ministrja Fitore Pacolli-Dalipi e ka cilësuar këtë iniciativë si investimin më të madh publik të ndërmarrë deri më tani në fushën e banimit social në Kosovë. Nga ana tjetër, Komuna e Istogut ka theksuar përkushtimin për bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet qendrore, me qëllim realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe krijimin e kushteve më dinjitoze të banimit.