Përfaqësuesja e Kosovës në futsall u mposht 4:3 nga Italia në ndeshjen e dytë të Grupit 10 të raundit kryesor kualifikues për Kupën e Botës 2028. Takimi u zhvillua më 6 nëntor në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Kosova u gjend në disavantazh 0:3, por u rikthye në pjesën e dytë dhe barazoi rezultatin. Italia shënoi golin e fitores në minutat e fundit. Ramadan Alaj realizoi dy gola për Kosovën, ndërsa Fitim Krasniqi shënoi golin tjetër. Për Italinë shënuan Michele Podda, Giovanni Pulvirenti, Carmelo Musumeci dhe Giuliano Fortini.
Pas fitores ndaj Gjeorgjisë në ndeshjen e parë, Kosova ka tri pikë dhe renditet e dyta në grup. Italia kryeson me gjashtë pikë, ndërsa Gjeorgjia është pa pikë.
Kosova do të luajë ndeshjen e kthimit kundër Italisë më 10 nëntor, në udhëtim. Ndeshjen e fundit të kësaj faze do ta zhvillojë më 24 shkurt 2027, kur do të presë Gjeorgjinë në Prishtinë.
Në raundin “Elite” kalojnë drejtpërdrejt fituesit e 12 grupeve dhe katër kombëtaret më të mira që përfundojnë në vendin e dytë. Tetë ekipet e tjera që renditen të dytat do të kërkojnë kualifikimin përmes plejofit; katër prej tyre do të avancojnë në raundin e fundit të kualifikimeve.