Në një intervistë për David Senra, Ivanka Trump ka folur për qasjen e saj ndaj investimeve në Shqipëri, duke u ndalur te projektet në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit. Ajo përshkroi përvojën e saj gjatë zbulimit të këtyre territoreve, duke i cilësuar ato si zona me bukuri të rrallë natyrore.
Lidhur me strategjinë e transformimit, Ivanka Trump deklaroi se zhvillimi i këtyre zonave kërkon përmbajtje dhe kujdes të shtuar. Ajo nënvizoi se arkitektura duhet të integrohet në harmoni me mjedisin, duke u shprehur se ndërtimet duhet të jenë të tilla që "të lindin" nga vetë toka për të ruajtur vlerat natyrore të zonës.
Përveç projekteve në Shqipëri, Ivanka Trump foli edhe për angazhimet e tjera profesionale. Ajo theksoi se fokusi i saj aktual është drejtuar nga misione që lidhen me inkubimin e kompanive në fusha si:
- Inteligjenca artificiale
- Bioteknologjia
- Neuroteknologjia
- Robotika
- Hapësira
Ajo shtoi se këto fusha ushqejnë kuriozitetin e saj dhe i ofrojnë mundësinë për t'u rritur intelektualisht duke bashkëpunuar me themelues që synojnë zgjidhjen e problemeve domethënëse.